Evi Reçi dhe Kledi Hysa prej disa kohësh tashmë po shijojnë marrëdhënien e tyre dhe janë shndërruar padiskutim në një ndër çiftet më të komentuara në media.
Ndërkohë që momentalisht po shijon suksesin e debutimit të saj si akore në filmin “Guxim”, këngëtarja është gjendur gjithashtu në mes të spekulimeve për një shtatzëni të mundshme.
Pas aludimeve të shumta, ditën e sotme, Evi ka konfirmuar se është në një pritje të ëmbël, duke zbuluar mes emocioneve përjetimet e saj të shtatzënisë si dhe momentin kur ka marrë vesh lajmin e bukur.
“Kur je gati për diçka, e pret dhe kurdo që të vijë ti nuk e sheh më si surprizë, por si një “përballje’’ të re jete. Në rastin tim, i kisha marrë shenjat që diçka po ndryshonte në trupin dhe humorin tim. Isha në Tiranë dhe pas disa ditësh do ikja në Austri për festat e fund vitit, aty ku jeton dhe Kledi. Në një nga mbrëmjet tona, ia bëra të ditur lajmin me testin në duar.
Reagimi i tij ka qenë epik: “ Ua, si test Covidi!’’. U tremb (qesh) pastaj e kuptoi për çfarë bëhej fjalë dhe sigurisht u përqafuam fort duke përjetuar të dy emocione të panjohura më parë. Unë në lot dhe ai si çdo mashkull besoj, duke e procesuar këtë ndryshim, filluam të mendojmë për përgjegjësitë që na takojnë. Tani mund të them që Kledi në këtë fazë është më i gëzuar. Unë isha nga fillimi, por duke marrë parasysh sikletet e para nuk ke kohë të mendosh gëzimet. Kjo është koha e duhur për të gëzuar familjarisht dhe publikisht.”
Sa i përket emrit të bebushit, Evi është shprehur se Kledi e ka lënë çdo gjë në dorën e saj.
“Patjetër! Kledi ma ka lënë mua këtë gjë. E di që unë lexoj shumë dhe e di që do mundohem të kombinoj kulturat tona në një emër, ndoshta dy: diçka nga trojet tona, që të ketë kuptim historik dhe të mbetet ndërkombëtar. Më shumë detaje nuk po jap, se deri në fund ndoshta ndryshoj mendjen!”