Me Romeon jemi njohur falë projektit muzikor “La Familia”, i cili u shndërrua në një këngë mjaft të pëlqyer brenda një periudhe të shkurtër kohore. Ndërkohë që ende po shijon suksesin e këtij projekti muzikor, Romeo sapo ka publikuar këngën e tij “solo”, e cila e sjell mjaft ndryshe krahasuar me projektin e mëparëshëm.
I kontaktuar nga Melody TV, Romeo ka rrëfyer më shumë për projektin “Pa Dashni”, i cili gjithashtu është një këngë që po kërkohet pafund në programet e ndryshme të “Melody TV”.
Melody TV: “Pa dashni” ju sjell krejt ndryshe nga projekt “La familia”, pse kjo zgjedhje?
Romeo: Bukuria e muzikës vjen nga mënyrat pa limit që një artist mund të pikturojë me fjalë tregimet, eksperiencën dhe ndjenjat e tij/saj dhe se si ato transmetohen tek publiku. “Pa Dashni” ishte një mundësi për të treguar që unë si artist kam kapacitet të kap tema të ndryshme, jo thjesht tema që mund të konsiderohen “tema rruge” por gjithashtu tema që shumë njerëz, pavarësisht se në mënyra të ndryshme, i kanë kaluar në jetën e tyre si dashuria, tradhtia, humbje etj.
Melody TV: Po ju tek cili zhaner muzikor e ndjeni veten më mirë?
Romeo: Unë si artist, ndihem më mirë në zhanret “r’n’b”, “hip hop”, “dancehall”, “afro beats” por gjithashtu edhe në komerciale. Kjo nuk do të thotë që nuk kam plane të eksperimentoj me zhanre të ndryshëm. Jam gjithmonë mendjehapur në këtë aspekt dhe qëllimi kryesor është që muzika ime t’ju tingëllojnë popullit tonë shqiptar kudo në një mënyrë pozitive.
Melody TV: Kush është kujdesur për muzikën, tekstin dhe klipin e “Pa dashni”?
Romeo: Për muzikën gjithmonë vendosim si ekip, por këtë projekt e ka marrë përsipër B.O.K. Sa i përket realizimit të klipit dhe kompozimit, ka qënë bashkimi i mendimeve nga të gjithë artistët e labelit tonë.
Melody TV: Flet shqip apo vetëm këndon? E ndjeni ndopak veten shqiptar apo më shume sicilian? Apo anglez?
Romeo: Unë jam shqiptar, kam gjak shqiptari por gjithashtu ndihem sicilian. Ndjej një krenari të vecantë që kam mundësinë të përfaqësoj dy kulturat dhe prejardhjet e mia në skenën muzikore. Gjuhët i flas të treja. Gjuha shqipe (gjuha e nënës) është kresorja por flas rrjedhshëm edhe dy të tjerat.
Melody TV: Keni planifikuar projektin e ardhshëm apo momentalisht po shijoni “Pa Dashni”?
Romeo: Kur je pjesë e një labeli, je pjesë e diçkaje më të madhe se vetja, gjykimi i tyre është bazë për mua sepse ata kanë eksperiencën komerciale dhe dinë se kur duhet të publikohen projektet e reja dhe unë kam besim të plotë tek gjykimi i tyre. Megjithatë, mund t’ju them se s’do prisni shumë për projektin e radhës.