Natasha Qemalja: Do i këndoj qytetit tim të lindjes sa të kem jetë

Natasha Qemalja: Do i këndoj Korçës, qytetit tim të lindjes, sa të kem jetë

Lajme

Këngët dedikuar vendlindjes janë gjithmonë të mbushura më shumë dashuri, ashtu sikurse edhe kënga e Natasha Qemalja, “Hidhe vallen moj Korçare”. E publikuar rreth një vit më parë, ky projekt muzikor ende të bën të kërcesh sa herë e dëgjon dhe ta duash më shumë qytetin e bukur të Korçës. Në një intervistë të dhënë për “Melody TV”, Natasha ka folur më shumë për këtë këngë si edhe projektet e së ardhmes.

Melody TV: “Hidhe vallen moj korçare” është një ndër këngët mjaft të pëlqyera nga publiku, ku është xhiruar kjo këngë?

Natashja Qemalja: Kënga “Hidhe vallen moj korcare” besoj se është pëlqyer nga publiku, kështu mendoj unë, pasi janë ata që vlerësojnë këngët tona. Sa i përket klipit, ai është xhiruar në qytetin e bukur të Korçës, nuk kishte si të ndodhte ndryshe.

Melody TV: Pse vendosët të bënit një këngë për Korçën dhe korçaret?

Natasha Qemalja: Korça është qyteti im i lindjes, jam rritur nëpër ato rrugica të kalldremta. Kam kaluar pjesën më të bukur të jetës sime dhe do t’i këndoj qytetit tim të lindjes derisa të kem jetë.

Melody TV: Cila është kënga që gjithmonë e këndon nëpër dasmat shqiptare?

Natasha Qemalja: Kënga popullore “Erdhi dita dasmën ta fillojme”, pa lënë mbrapa dhe “Vallen e Tropojës” që këndohet e vallëzohet si në dasmat e veriut po ashtu dhe dasmat e jugut.

Melody TV: Prej sa vitesh jetoni jashtë? Ju mungon Shqipëria?

Natasha Qemalja: Në Angli jetoj prej 20 vitesh, Shqipëria më mungon shumë shumë. Vi thuajse cdo verë, por asnjëherë nuk më mjaftojnë ditët që rri aty.

Melody TV: Keni vijuar të jepni koncerte apo pandemia ka paralizuar cdo gjë?

Natasha Qemalja: Aktivitetet janë pothuajse të paralizuara totalisht prej pandemisë, shpresoj si gjithë kolegët e mi, që së shpejti t’i kthehemi normalitetit.

Melody TV: Ku po i kaloni pushimet verore?

Natasha Qemalja: Për momentin jam në Londër, nuk pata mundësi të vi të kaloja pushimet në plazhet tona të mrekullueshme.

Melody TV: Cilat janë projektet e të ardhmes?

Natasha Qemalja: Projekte kam disa por për shkak të pandemisë jemi shumë të kufizuar dhe nuk mund të flas më shumë. Shpresoj që çdo projekt të realizohet në kohën dhe vendin e duhur.