Më 28 Shtator të 1987, një prej grupeve më të mëdhenj të pop-it dhe new wave-it në botë – Depeche Mode – do të publikonin albumin e tyre të gjashtë që e pagëzuan me titullin “Music For the Masses”. Megafoni në posterin e fushatës për “Melody Tv” – Muzikë për Masat – është i njëjti për të cilin një nga anëtarët origjinal të grupit ka kredituar Martyn Atkins si realizues të tij. Titulli ironik i albumit nisi nga një kërkesë e vazhdueshme e studiove muzikore karshi grupit për të bërë muzikë më komerciale – (Music for the Millions – Muzikë për Milionat). Titulli do duhet të shiste atë që muzika e tyre [nuk] ishte.
Kur dëgjova “Ali Pasha i Janinës” nga Jericho mendova pikërisht për këtë titull për sloganin e ri të “Melody Tv” por jo në konotacionin ironik. E zhveshur nga ky ngjyrim fraza merr kuptime të reja. Ky kanal muzikor mbledh më të mirat dhe më të pëlqyerat e muzikës që audienca e gjërë pëlqen për momentin. Në mes dëshirës për të qënë ndryshe nga të tjerët, kjo fjali e shkurtër është për ata që duan të ndihen pjesë e një komuniteti dhe të mos e snobojnë atë siç herë pas here bëjmë për arsye nga më të qënësishmet ose jo. Pas disa dekadave kur ne shqiptarët, me një lloj fodullëku që na vinte nga mbyllja për një kohë të gjatë shijonim vetëm muzikë të huaj, muzika vendase nuk ka qënë ndonjëherë kaq e dashur nga populli i saj, sa sot. Masat (më në fund) kanë injoruar elitat Stendaleske duke mos patur më komplekse nga trashëgimia e tyre.
Natyrisht fraza në vetvete është provokuese dhe mund të interpretohet nga kushdo si të dojë. Është provokimi që ajo përmban që e bën perfekte për një fushatë marketingu.