Çdo ditë dëgjojmë muzikë.
Dëgjojmë muzikë kur jemi të gëzuar, kur jemi të trishtuar, kur festojmë, kur meditojmë, kur punojmë, madje ndonjëherë edhe kur studiojmë.
Çdo moment i ditës ka muzikë brenda dhe duket se është kaq e lidhur me ndjesitë tona të përditshme.
Ju ka ndodhur ndonjëherë të dëgjoni muzikë dhe të mendoni: “Kjo këngë sikur tregon fiks si ndjehem” ose “Kjo këngë sikur tregon historinë e jetës sime”… etj.
Ajo çfarë na vjen në mendje direkt kur dëgjojmë një këngë është artisti që e ka kënduar. Rrallëherë i njohim se kush fshihet vërtet pas një këngë e cila na jep kaq shumë emocion.
Krijuesit e vërtetë, ata të cilët emocionet e tyre i bëjnë një me tonat duke i përkthyer në nota janë kompozitorët. Ata krijojnë meloditë që prekin skajet më të thella të shpirtit tonë.
Në Shqipëri kemi shumë emra kompozitorësh të cilët i kanë dhuruar publikut këngë pa fund të bukura.
Por, sot do të ndalemi tek një emër, i cili çdo material muzikor që prek e kthen në një perlë, ai është Ilir Berani.
Autor i njohur dhe profesionist i muzikës, reputacioni i tij i ka kaluar kujfijtë e Kosovës dhe njihet në mbarë tregun e muzikës, duke qënë një nga kompozitorët ëndërr e artistëve që të kenë një material të punuar nga duart e tij. Ai ka punuar hite në zhanre të ndryshme të muzikës dhe ka bashkëpunuar me emrat më të njohur nga artistët shqiptar si: Dani, Sinan Vllasaliu, Shyhrete Behluli, Genta Ismajli, Xeni, Lori, Malesori, Kaltrina, Teuta Selimi etj.
Bashkëshorti Gilit, ai ka ndjekur karrierën e saj muzikore dhe projektet e saj mbajnë firmën e tij.
Sot, pasionin për muzikën e ndjek gjithashtu i biri, Redon Berani, i cili sapo ka filluar që të hedhë hapat e parë muzikë.
I pyetur se si ndjehet për nisjen e karrierës muzikore të të birit, si e shikon ai perspektivën, rrymën muzikore që ai ka zgjedhur, ai shprehet për Melody TV se:
“Unë kam filluar të merrem me muzikë në vitin 1985 në festivalin më të madh kosovar “Akordet e Kosovës”. Kam tentuar të sjellë rrymë të re muzikore me vrullin rinor. Me mendësine e një të riu nuk kam kërkuar ndihmë, madje as mendim prej askujt.
Të njëjtën liri ia pranoj edhe tim biri, Redonit.
Ai sapo ka nisur hapat e parë. Nuk ka kërkuar as mendim as ndihmë nga ne.
Jam shumë i lumtur që dashuria për muzikën është motivi i parë i tij.
E kur e do muzikën suksesi mund të jëtë i vonuar por është GJITHMONË i garantuar”