Herta: "Je si drita" është frymëzim nga një person i veçantë në jetën time

Herta: “Je si drita” është frymëzim nga një person i veçantë në jetën time

Lajme

Herta është një këngëtare e re që i është shtuar së fundmi tregut muzikor shqiptar. Pavarësisht se ka gjithë jetën që është marrë me muzikë, ekzaktësisht që në moshën 5-vjeçare, Herta sapo ka bërë debutimin e saj në muzikë me këngën “Je si drita”. Duke ju përshtatur më së miri teperaturave të kësaj vere, Hera ka zgjedhur të vijë në një formë perfekte në klipin e këngës së saj.

E kontaktuar nga Melody TV, këngëtarja ka zbuluar më shumë për veten e saj, për këngën e re si edhe për projektet që prej kohësh janë punuar por që ende nuk janë publikuar!

Melody TV: Sa kohë keni që merreni me muzikë?

Herta: Kam filluar studimin e violinës që kur kam qënë 5-vjeç, kështu që mund të them që kam gjithë jetën që jam marrë me muzikë.

Melody TV: Cili është projekti juaj i parë?

Herta: Në fakt i kam të mbaruara shumë projekte por nuk i kam bërë akoma të gjitha publike. Kënga e parë që është bërë publike është pikërisht “Je si drita”.

Melody TV: Pse keni vendosur ta publikoni kaq vonë projektin e parë, ndërkohë që keni një jetë që merreni me muzikë?

Herta: Gjithë këto vite i jam përkushtuar me shumë dashuri muzikës “live”, ajo çfarë e bën të veçantë një këngëtar. Kam kënduar dhe luajtur violinë në diasporë. Mendova se ky ishte momenti i duhur që të publikoj një këngë në mënyrë që të më njohë një publik më i gjërë.

Melody TV: Sa këngë keni bërë deri tani?

Herta: Të papublikuara i kam 6 këngë por siç thashë dhe pak më sipër, derimë tani është publikuar vetëm “Je si drita”. Të tjerat do publikohen me rradhë së shpejti.

Melody TV: Kush është kujdesur për muzikën dhe tekstin e “Je si drita”?

Herta: Muzikën e ka krijuar Egzon Bajraliu, një kompozitor nga Kosova. Tekstin Kreshnik Avdiu, po prap nga Kosova. Kurse orkestrimin e ka bërë Marenglen Boja, që është dhe miku im prej fëmijërisë

Melody TV: Keni një person të veçantë që ja dedikoni këtë këngë?

Herta: Po sigurisht, është një person shumë i veçantë që është dhe frymëzimi i këngës.

Melody TV: Cili ka qënë komenti më pozitiv për këngën “Je si drita”?

Herta: Përgjithësisht ka rezultuar shumë e pëlqyer. Më kanë bërë komplimenta për këngën por nuk kanë munguar edhe kritikat sigurisht. Komenti më i veçantë që kanë bërë për këngën ishte: “Kjo këngë është e qeshur dhe rrezaton dritë si vetë titulli”. Këtë kam dashur që të bëj, një këngë të gëzueshme.

Melody TV: Po planifikoni të publikoni projekte të tjera muzikore?

Herta: Sigurisht që po planifikoj të sjell projekte të reja. Këngë shumë të bukura i kam gati. Po përveç këngës shumë shpejt do sjell dhe një instrumentale me violinë. Kjo nuk është shumë e zakonshme për tregun muzikor shqiptar. Por kam përshtypjen që do pëlqehet shumë.