Elona Cenaj, vajza që bëri ëndrrën realitet!

Lajme

Elona Cenaj është një nga zërat më të preferuar të muzikës live. E rritur mes muzikës dhe ëndrrës për tu bërë këngëtare, të cilën e ktheu në realitet.

E kontaktuar nga “Melody TV”, Elona ka zbuluar më shumë për planet si edhe për projektin e saj më të ri, i cili e ka kthyer në qendër të vemendjes.

Melody TV: Si ka nisur pasioni yt për muzikën?

Elona Cenaj: Pasionin e kam patur që e vogël. Kam nisur me aktivitete të shkollës, në qendrën kulturore të fëmijëve. Babai im e ka pas merak këngën dhe në shtëpinë tonë dëgjohej muzika përherë. Ajo çfarë më pëlqente më shumë ishte kur unë këndoja dhe babi më shoqëronte në zërat e dytë.
Motivimi i tij ndaj meje ka qënë unik. Ky pasion u rrit edhe më shumë kur bashkëshorti im zbuloi talentin që unë kisha, i cili ishte profesor muzikë dhe ndërkohë merrej me aktivitete të muzikës live me shumë artistë. Që nga ai moment pasioni im u kthye në ëndrrën time ndaj këngës.

Melody TV: Cili ka qënë projekti yt i parë muzikor?

Elona Cenaj: Projekti i parë ka qënë një këngë e kompozuar nga bashkëshorti im dhe teksti i shkruar nga unë. Titulli i këngës është “Beqaria vate”. Flet për çunat e kurbetit që nuk kanë mundësinë të kthehen në vendin e tyre ndërkohë që kanë lënë mbrapa një dashuri që i pret. Ky ka qënë projekti im i parë me të cilin jam prezantuar.

Melody TV: Si i përzgjedh projektet e tua muzikore?

Elona Cenaj: Do të thoja që në telefonin tim kam shumë projekte që nuk i kam nxjerrë akoma.
I përgatis vet së bashku me bashkëshortin dhe djalin tim të talentuar, që vazhdon edhe ai për muzikë, më ndihmojnë me miratimin e tyre, më japin dritë gjithmonë për atë që unë dua të realizoj. Janë ata të dy që përzgjedhin materialet që unë dua të publikoj.

Melody TV: Do ta shohim Elonën më shumë në televizion apo muzika live është fokusi yt më i rëndësishëm?

Elona Cenaj: Jam shumë e impenjuar të pjesa e muzikës live, ajo që mua më kënaq edhe shpirtërisht. Fokusi im më i rëndësishëm është muzika live. Por edhe ekranin e kam merak, do të doja të isha prezente në shumë emisione të ndryshme sepse kam shumë dëshirë të jem pjesë e ekranit.

Melody TV: Cilat janë planet e tua më të afërta?

Elona Cenaj: Jam duke xhiruar klipin e radhës me shumë përkushtim e dashuri. Së shpejti del kënga tjetër që shpresoj ti pëlqejë publikut. Po përgatitem gjithashtu edhe për koncerte jashtë vendit.
Plane une si Elona nuk bej kurrë, them gjithmonë fjalën popullore “Me Kismet”.
Më pëlqejnë gjërat spontane, i adhuroj.