Editorial: KoronaVirusi, do rrisë divorcet apo lindshmërinë…

Lajme

Në këtë kohë që po jetojmë, një gjë është e sigurt, se pasojat do ti kemi edhe për një kohë të gjatë pas “çlirimit”.

Ndërkohë që në ditët e para, ndoshta një pjesë e madhe e njerëzve e morën me sportivitet izolimin, menduan se disa ditë të mira në shtëpi për t’u çlodhur do ishin ideale, pavarsisht se larg rutinës së daljeve dhe të kafeve që ishim mësuar. Për ata që kishin një jetë aktive, disa ditë pa ngut për të qënë në orar, gjumi i ëmbël i mëmgjesit apo disa filma të gjatë në divan ishin një ëndërr e bërë realitet.

Por, kot nuk thonë se monedha ka dy anë…

Pasi u kuptua se kjo periudhë do të zgjaste filluan streset e para…

Kush ishte me gruan apo burrin në shtëpi filluan të hapin lojën e nominimeve si në shtëpinë e “Big Brother”, për të eleminuar njëri tjetrin, sigurisht me “shaka”. Ose ndoshta jo për të gjithë, pasi një çift shumë i njohur aktorësh turq, Kutsi dhe partnerja e tij Feyza Çipa u ndanë vërtet pas 7 vitesh bashkë. Shkaku ishte karantina.

Çiftet e reja u shënjestruan për ti motivuar për të “nisur” bebin. Sipas gjasave muaji Dhjetor 2020 – Janar 2021 do të njohë një rritje domethënëse të lindjeve…

E fenomeni tjetër (ndër shumë të tjerash akoma, por do të kemi kohë ti themi të gjitha) është edhe tendeca e zgjedhjes së emrave të çmendur për të porsalindurit. Po po, e lexuat saktë, emra të çmendur… Rasti i parë është identifikuar në Indi, ku një çift kanë mirëpritur dy binjakët e tyre, një djalë dhe një vajzë, dhe emrat që kanë zgjedhur janë Corona dhe Covid! Arsyetimi që ata bëjnë për këtë zgjedhje është:

“Virusi është i rrezikshëm por i bëri njerëzit të fokusohen në higjienë dhe në zakonet e mira të jetës, prandaj vendosëm ti quanim ashtu” thotë e ëma.

E duke marrë parasysh se koha tek ne ka treguar se jemi popull që ndikohemi shumë për vendosjen e emrave tek të porsalindurit, (kujtojmë këtu telenovelat spanjolle apo ato turke), urojmë që prindrit e ardhshëm shqiptar të mos arsyetojnë njësoj si ata në Indi.

Deri më tani pas karantinës, kemi me siguri disa aktivitet që do të kenë shumë punë: psikologët për të kaluar streset e karantinës, avokatët e divorceve dhe maternitetet…