David Dreshaj: Pas "Nuk e dua", projektit me nivele europiane, synoj Eurovision

David Dreshaj: Pas “Nuk e dua”, projektit me nivele europiane, synoj Eurovision

Lajme

David Dreshaj prej disa vitesh është pjesë e industrisë muzikore, ku nga viti në vit shohim një rritje profesionale të artistit dhe kjo është vënë re në projektin e tij më të fundit muzikor, “Nuk e dua”, një këngë të cilin artisti e ka sjellë në versione, shqip dhe anglisht.

Zbuloni më shumë për këtë projekt muzikor në intervistën që David ka dhënë për “Top Awards”.

TA: “Nuk e dua” të sjell në nivele më të larta produksioni, me kë ke bashkëpunuar për këtë projekt?

David Dreshaj: Po, është e vërtetë që projekti “Nuk e dua” apo “I Believe”, i cili është në dy versione, më sjell në standarte shumë më të larta, me plot bindje mund të them se më sjell në nivele europiane dhe botërore. Kam bashkëpunuar me disa hitbërës, sic janë Darko Dimitrov (i cili ka punuar muzikën), Kosta Petrov (i cili ka punuar tekstin për versionin anglisht të këngës), Sanja Popovska (e cila ka punuar po ashtu tekstin për versionin anglisht të këngës), Lindon Berisha (i cili ka punuar tekstin për versionin shqip të këngës), kurse videoklipi është prodhuar dhe direktuar nga Valon Aziri dhe kompania e tij “CINEGR8”. Po ashtu më duhet ta theksoj se për punimin e këtij super projekti më ka ndihmuar shumë edhe kompania menaxhuese “MediaArts” bashkë me menaxherin Jeton Junuzi.

TA: Cilës rrymë muzikore i përket kjo këngë?

David Dreshaj: Këto dy projekte, i përkasin rrymës muzikore: “Pop”, “Dance-Pop” dhe po ashtu ka elemente “DeepHouse” brenda. Më duhet ta theksoj që projektet janë shumë stil ndryshe nga ajo cfarë po dëgjojmë cdo ditë. Duhet të jesh shumë i guximshëm të punosh me bashkëpunëtorë të tillë që janë super profesionista.

TA: Pse vendose ta sjellësh në dy versione këtë projekt muzikor, shqip dhe anglisht?

David Dreshaj: Në momentin që këngën e mora si demo si demo nga Darko më pëlqeu shumë, me pak fjalë u dashurova me të dhe thashë me vete: “Kjo është, kam një super projekt, Darko më dha një super këngë, një hit në duar”. Kënga në fillim me thënë të drejtën erdhi u punua. E punuam vetëm në një version, në versionin shqip, por meqënëse Darko ishte i vetëdijshem se cfarë kënge dhe projekti të mirë më ka dhënë, ishte ai që na e dha idenë për të bërë edhe një version të dytë, në gjuhën angleze, dhe kështu projektit ju bashkangjitën Kosta Petrov dhe Sanja Popovska dhe jam shumë i lumtur për këtë fakt, që kam patur mundësinë dhe shansin për të punuar me një super team profesionistësh. Dhe në fund qëllimi i Darkos, i imi dhe i të gjithë stafit për ta sjellë këngën në dy versione, ishte vetëm për t’i dhënë më shumë mundësi këngës për të shpërthyer, për t’u bërë virale, apo për t’u dëgjuar njëri version, dhe mesa duket ia dolëm.

TA: Si është pritur nga publiku shqiptar?

David Dreshaj: Të dyja versionet u pritën shumë mirë që ditën e parë, realisht shumë shumë mirë. Publiku i mori me hov, kënga shpërtheu që ditën e parë dhe mora komente, mesazhe dhe komplimente pafund të bukura, që edhe më kanë emocionuar. Edhe sot që kaluan vetëm 2 javë nga publikimi këngëve, këngët sëbashku kanë arritur shifrën e gati 5 milionë klikimesh vetëm në platformën “YouTube” në kanalin tim zyrtar, që prap është cmenduri.

TA: Pozicionohesh menjëherë në vendin e 10-të në klasifikimin e Top Awards, cdo të thotë kjo për ty?

David Dreshaj: Meqënëse shtatorin e kaluar me projektin “Sierra” arrita që falë votave të publikut dhe fansave të rrëmbej vendin e parë për një javë të plotë në klasifikimin më të rëndësishëm të muzikës moderne shqiptare, dhe kënga u dëgjua në të gjithë Shqipërinë dhe Kosovë, në të gjitha radiot më të rëndësishme dhe më me zë dhe u transmetua në televizionet më të njohura të këtyre dy shteteve. Ajo cfarë dua të them është fakti që e prisja që këto dy këngë do bëheshin pjesë e Top Listës sepse janë këngët më të mira që kam punuar derimë tani në karrierën time. Kështu që publikun shqiptar dhe fansave, ju them të vazhdojnë të votojnë dhe i falenderoj nga zemra. Besoj dhe shpresoj që mund t’ja dalim që edhe me këtë këngë të marrim vendin e parë, të paktën për një javë.

TA: Cilat janë planet e së ardhmes?

David Dreshaj: Planet për të ardhmen janë: punë, sakrificë, mundim dhe vetëm të shkoj para, mos të dorëzohem dhe mos të ndalem kurrë derisa të frymoj pasi tani e thyeva akullin me këto dy projekte dhe planet profesionale për mua si artist dhe këngëtar për të ardhmen janë albumi im i parë dhe Eurovisioni.

Tags: