Këngëtarja më e dashur për publikun, Amarda Arkaxhiu, edhe pse prej vitesh jeton në SHBA, nuk e ka harruar vendin e saj dhe vazhdon të publikojë projekte muzikore në gjuhën shqipe.
Pas një pauze të shkurtër, së fundmi ajo ka nxjerrë një këngë të re, të titulluar “Gocë Kavaje, mbesë Tirone”.
Në një intervistë ekskluzive për “Melody TV”, Amarda ka zbuluar detaje të jetës së saj si dhe arsyen se përse zgjodhi të rikthehej pikërisht me një këngë të tillë.
Melody TV: Si ndihesh të rikthehesh sërish me një projekt muzikor pas një pauze të shkurtër?
Amarda Arkaxhiu: Besoj se kjo pauza nuk ka qenë vetëm për mua, por për të gjithë kolegët e mi. Pas një pauze të shkurtër, kam ardhur më e fortë se kurrë dhe më energjike se kurrë. Më ka bërë mirë ky pushim!
Melody TV: Nga lindi ideja për të bërë këtë këngë, me këtë titull?
Amarda Arkaxhiu: Ideja ka lindur pasi unë jam nga Kavaja dhe jam mbesë në Tiranë. Kjo këngë është një autobiografi e imja që kam dashur me kohë ta realizoj, por tani ishte momenti. Njerëzit e Kavajës, pasi publikova këngën “Çunat e Tironës”, më thanë se pse nuk kam bërë një këngë për Kavajën dhe e ndjeva detyrim ta bëja.
Melody TV: Cili qytet është më pranë zemrës tënde, Kavaja apo Tirana?
Amarda Arkaxhiu: Kavaja, sepse ka qenë fillimi i gjithçkaje, por dhe Tiranën nuk e lë, pasi aty mora famën. Me thënë të drejtën, të dyja, nuk i ndaj dot, janë të dyja të rëndësishme për mua.
Melody TV: Duhet të presim surpriza të tjera nga ju?
Amarda Arkaxhiu: Patjetër që po, do të vij me shumë projekte, më fuqishëm se kurrë! Një artist ka nevojë dhe për një qetësi shpirtërore, fizike, por doja një pauzë që të reflektoja mbi projektet e të isha sa më e sigurt.
Melody TV: Një këngë shumë ritmike, perfekte për sezonin e dasmave. Mendon se do të kthehen gjërat në normalitet?
Amarda Arkaxhiu: U bënë vite që unë jetoj në Amerikë dhe kam marrë pjesë në gëzime familjare dhe koncerte. Këtu ku jetoj unë, çdo gjë është kthyer në normalitet. Sallat e dasmave janë të lejueshme, me 300 veta kam qenë mbrëmë (qesh). Shpresojmë tani që edhe në Shqipëri të ndodhë e njejta gjë.
Melody TV: A ishte reagimi i publikut ashtu siç e kishit menduar?
Amarda Arkaxhiu: Unë kam hapur kanalin e ri në Youtube, sinqerisht sapo është hapur dhe po mundohemi të arrijmë në nivelin e duhur. Shpresojmë që kënga të pëlqehet, deri tani ka marrë komente nga më pozitivet. Si kanal i ri që është hapur, me klikimet ka ecur. Besoj në verë do të jetë gati, e nëpër gëzime familjare publiku ta vendosë.