Gjendemi në muaj që padiskutim i përket shqiptarëve për shkak të festave mjaft të veçanta për ne, Dita e Çlirimit dhe Dita e Pavarësisë. Këto festa zbukurohen akoma më shumë nga artistët që bashkë me shpirtin e tyre prodhojnë projekte që vërtet na emocionojnë dhe një ndër ta është Bekim Ibrahimi.
Bekim Ibrahimi ka vendosur të prodhojë jo një por dy projekte muzikore dedikuar gjuhës shqipe por ajo çfarë e bën të veçantë këtë artist është fakti që nuk le pa përmendur Shqipërinë e Madhe, që në të vërtetë janë një.
Në një intervistë të dhënë për Melody TV, Bekimi ka folur më shumë për projektet e reja muzikore.
Melody TV: Dy projektet e tua më të fundit muzikore “Gjuha shqipe si mjalt n’hoja” dhe “Jam sheqer Kosove, ti je mjalt Shqipnije”, janë dedikime për Shqipërinë, pse kjo zgjedhje?
Bekim Ibrahimi: Dy projektet e fundit janë një dedikim jo vetëm për Shqipërinë por për gjithë Shqiptarinë, se gjuha është e të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Kështu që vendosa ta realizoja në vendin tim, ku flitet gjuhë e pastër shqipe ndërsa për klipin zgjodha Beratin, si qytetin mjaft interesant me 1001 dritare, ura si edhe kalaja mjaft e bukur.
Kënga e “Jam sheqer Kosove, ti je mjalt Shqipnij” është një dedikim për djemtë kosovarë të quajtur sheqerët e Kosovës ndërsa vajzat si mjalti i Shqipërisë.
Melody TV: A ndjeni mall për Shqipërinë dhe a mendoni të ktheheni ndonjëherë në vendlindje?
Bekim Ibrahimi: A kemi mall?! Këngët e tregojnë qart se kujt i këndojmë…. Komentet e tjera janë të tepërta besoj. Çdo shqiptar ndjen mall për vendin e vetë në një farë mënyre dhe këtë e kam treguar përmes këngëve të mia, përmes të cilave shpreh mallin. Sigurisht, kur vjen momenti kemi dëshirë të kthehemi, të shijojmë jetën në tokat tona shqiptare.
Melody TV: Cili është një ndër projektet tuaja më të preferuara në të gjithë karrierën tënde muzikore?
Bekim Ibrahimi: Deri tani këngë që më pëlqen më shumë është kënga dedikuar gjuhës së nënës, gjuhës së ëmbël dhe më të mirë në botë, “Gjuha Shqipe si mjalt n’hoja”.
Melody TV: Çdo të thotë për ju të prodhoni muzikë të re në këtë periudhë pandemie?
Bekim Ibrahimi: Të prodhosh muzikë në këtë kohë të vështirë, tregon se unë kam fuqi të madhe të stimuloj e të mbaj publikun me këngë. Inspirim për mua që të prodhoj muzikë, është përkrahja e publikut, fansave të mi që vazhdimisht më ndjekin dhe më mbështesin.
Melody TV: Një mesazh për të gjithë ata që dëgjojnë muzikën tënde….
Bekim Ibrahimi: Për të gjithë ata që e dëgjojnë muzikën time, i falenderoj dhe i përshëndes, dhe do mundohem të publikoj projekte edhe më të mira për të gjithë mbështetësit e mi.