Anxhela Peristeri zbulon detaje rreth projekteve të saj muzikore dhe bashkëpunimeve që pritet të vijnë!

Lajme

E ftuar në emisionin “Pardon My French” në Top Albania Radio nëpërmjet një lidhjeje telefonike ka qenë Anxhela Peristeri. Këngëtarja ka zbuluar më shumë detaje në lidhje me karrierën e saj, këngët dhe projektet e reja që pritet të vijnë së shpejti. Gjatë këtyre gjashtë muajve artistja ka qenë mjaft aktive me këngë, videoklipe, bashkëpunime apo evente të ndryshme. Si vendose që t’i riktheje sërish në një formë akoma dhe më të bukur dhe të veçantë këngët e vjetra?

Faktikisht nuk e kisha ndonjë plan të riktheja këngë të vjetra, thjesht ishte një rastësi duke qëndruar një ditë në TikTok më doli kënga e G-Bani dhe Crazy Girl dhe mendova që do të ishte një ide shumë e mirë për t’a rikthyer. Sigurisht që G-Bani ra menjëherë dakord dhe kënga u punua nga ALANDY, i cili e ka punuar me shumë mjeshtëri. 

Po Crazy Girl i ngeli hatri?

Nuk e di, nuk jam në dijeni të kësaj gjëje. Autori i këngës është G-Bani kështu që, ai i di mirë se si i ka bërë gjërat e veta. 

Më pas Anxhela tregoi:

Rezultoi e suksesshme jo për shkak të klikimeve dhe të gjërave të tjera por edhe sepse është një këngë që njerëzit e duan shumë dhe kanë nostalgji kur e dëgjojnë. Unë e kam parë dhe reagimin e tyre në klube dhe evente të ndryshme. 

A mendon të rikthesh dhe të ripërpunosh dhe hitet e tua në një version më ndryshe këngët e tua? Meritojnë këto këngë të cilave nuk iu ke bërë klipe që t’i risjellësh edhe njëherë në vëmendje të publikut?

Faktikisht unë këto këngë para pak kohësh i kam rihedhur të gjitha në kanalin tim zyrtar në YouTube, në një cilësi të mirë sepse nuk i kisha as vetë ato këngë por falë Elios Shulit që është vërtetë një arkivë e vërtetë dhe i kishte të gjitha, këngët janë rihedhur sërish. Jo, nuk kam një plan për t’i rikthyer me orkestrime të reja sepse mendoj që njerëzit janë mësuar t’i dëgjojnë dhe ju pëlqejnë ashtu. 

Do të kemi bashkëpunime së shpejti?

Po, do të kemi një vjen në gusht dhe një në shtator. Këtë vit do të vij me një bashkëpunim të ngjashëm, është një artist relativisht i ri për publikun, shumë i talentuar. 

Është Klementi?

Jo, nuk është ai sepse do ta gjenit menjëherë. (qesh) 

Anxhela Peristeri tregoi gjithashtu se do të vazhdojë të xhirojë një projekt të ri për ta publikuar në gusht.