Ndërron jetë aktori i mirënjohur Zef Deda, në moshën 73-vjeçare.
Ditën e sotme Shkodra dhe Shqiperia kanë humbur një emër të madh të artit dhe humorit.
Artisti shumëdimensional, i cili ka spikatur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi mbylli sytë në qytetin e tij të lindjes pas një sëmundje të rëndë që e kishte prekur prej pak kohësh.
Bëjmë me dije se lajmi për ndarjen nga jeta të mjeshtrit të madh të humorit është konfirmuar nga djali i tij, Julian Deda nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Instagram.
Zef Deda është një nga komedianët më të mirë të Shqipërisë, i cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë. Lindi në Shkodër më 27 korrik 1950. Eshtë shkolluar në qytetin e tij të lindjes, dhe në politeknikumin e ndërtimit në Tiranë.
Filloi shkollën e lartë për gjuhë-letërsi, por nuk e mbaroi dot për arsye shëndetësore. Ka punuar për më shumë se 40 vite në Teatrin Migjeni të Shkodrës. Talenti i tij spikat që në moshë të vogël teksa me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ai arrine të realizonte qindra figura artistike.
Ndërkohë që artisti i mirënjohur, Zef Deda ka dhënë për herë të fundit një intervistë për Top Channel, teksa plot emocion ka folur për karrierën, artin dhe familjen e tij. Në nderim të kujtimit të Zef Dedës, Gazeta Shqip po e rikthen edhe njëherë këtë intervistë.