I ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Lancio” ishte këngëtari Erik Lloshi, i cili foli më shumë rreth këngës së tij të re në bashkëpunim me G Bani-n dhe projekteve të tij të ardhshme muzikore në vijim.
Dita e sotme i dedikohet këngës tënde të fundit që ishte një këngë me ritme verore në një bashkëpunim me G Bani-n i cili ka bërë shumë mungesa në Shqipëri.
Po, ka bërë mungesa dhe ka bërë shumë gabim, sepse ai është një reper dhe një artist unik. Gjithësecili duhet të jemi unik në atë pjesë që përfaqësojmë, sepse shumica e shqiptarëve dhe të huajve sot po kopjojnë. Unë jam kundra sepse kam edhe statusin profesor muzike, kam bërë edhe specializime për këtë. Plus unë kam edhe një parim që kur kam qenë i vogël: ‘Mos kopjo askënd. Më të mirë se unë ka, por si unë nuk ka’.
Sa duhet t’i paguajmë Erikut për një bashkëpunim?
Nuk ka çmim, duhet të më blesh kënaqësinë dhe zemrën që unë të bëj bashkëpunim.
Çfarë ‘bleu’ G Bani tek ti?
Kishim një lloj kimie mes njëri-tjetrit. Kënga është bërë për 1 javë. Këngën e ka shkruar Ervis Mullaj të cilin e përshëndesim, është një nga kompozitorët më të mirë që ka çuar Albina Kelmendin në Eurovision.
Erik ti je nëpër dasma. Një lajm që qarkulloi shumë ishin disa personazhe të cilët performojnë nëpër dasma në një shifër prej 70 mln lekë të vjetra të hedhura për ta. A vazhdon ende hedhja e lekëve nëpër dasma? A të pëlqen si veprim, e shijon kur të mbulojnë me para?
Ato ishin 70 milionë unë kam parë mbi 250 mijë euro poshtë në dasmë. Normalisht që nuk i morëm ne, i mori i zoti i shtëpisë, ne morëm një pjesë por ishin 250 mijë euro në tokë. Kjo është super e vërtetë sepse e kisha të afërmin tim dhe ja numërova unë të gjitha lekët.
A mendon se i jep atmosferë dasmës një gjë e tillë?
Patjetër leku është adrelinë më vete, por nuk jam shumë dakord me këtë pjesën e shkeljes së lekut me këmbë.
Çfarë projektesh do të kemi në vijim?
Kam një bashkëpunim me Eranda Libohovën, e kam gati këngën. Është një këngë shumë radiofonike, patjetër që do të vij ta prezantoj këtu së bashku me Erandën. Është edhe një bashkëpunim tjetër që nuk jam vetëm unë, jam me tre këngëtarë të tjerë. Kënga është hip-hop bashkuar me modernen është shumë e fortë më beso. Kam edhe një bashkëpunim me një ose dy këngëtarë të muzikës popullore, që ka edhe nje kolazh popullor që unë e kam xhiruar edhe e kam gati për ta nxjerrë.