Si duket partneri ideal për Ronela Hajatin?!

Lajme

E ftuar në “A Live Night” ishte artistja e cila ka qënë në fokus të gjithë shqiptarëve këto ditë, Ronela Hajati. Këngëtarja dha një nga intervistat e saj më të rralla, në një rrëfim special për gjithçka nga fëmijëria e saj dhe jo vetëm. Ndër të tjera, Ronela u shpreh edhe për vështirësitë që ka hasur në këtë profesion, ofendimet, sharjet dhe epitetet e ndryshme të cilat i janë etiketuar.

“Problemi ynë është që ne nuk kritikojmë, ne shajmë, ne ofendojmë. Mua 90% e njerëzve që më shkruajnë nuk më njohin, nuk e dinë se çfarë jete bëj unë, se çfarë vështirësish, problemesh, gëzimesh, çfarë gjërash përjetoj unë gjatë ditës. Nuk e dinë fare mundin edhe peripecitë që kaloj për të arritur këto gjëra. Njerëzit kënaqen me ne, nëse nuk të pëlqen, ndërroje. Shiko një tjetër që të kënaq. Pse shan?! Pse, këtë nuk kuptoj. Sepse ata mund të paragjykojnë çfarë të duan, mund të sulmojnë, mund të vënë epitete, prap nuk dinë asgjë.”

Por kush e kritikon më së shumti Ronelën?!

“Unë e kritikoj veten time gjatë gjithë kohës. Zërin tim e urrej kur flas. Mendoj që mund të isha veshur më bukur, mund të isha treguar më pak euforike. Shumë herë do doja t’i hiqja këto.”

Më tej, Ronela u shpreh edhe për gjysmën e saj tjetër, si do të donte artistja të ishte burri që ajo ka në krah?!

“Duhet të jetë i zoti. Unë jam vajzë që punoj shumë, e dua punën. Jam njeri shumë kërkues. Do kisha shumë dëshirë të kisha në krahun tim një djalë që të jetë i zoti, edhe të punojë, ta dojë punën.”

E pyetur se çfarë do i thoshte Ronelës së vogël, artistja është më se frymëzuese me fjalët me të cilat do t’i drejtohej asaj.

“Po të kisha Ronelën e vogël përballë, e vetmja gjë që mund t’i thoja do ishte një fije shprese. Që ta merrte me pak më shumë sportivitet, thyerjet e zemrës në muzikë. Mund t’i thoja që nëse nuk i ke dëgjuar njerëzit deri tani, vazhdo mos e bëj.”