Ronela Hajati do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision këtë vit me këngën e saj “Sekret”.
Niko Komani do të jetë stilisti i cili do të kujdeset për veshjen e saj dhe së fundmi ka treguar disa detaje të performancës. I ftuar në emisionin “FriendZone”, ai është shprehur se Ronela do të paraqitet tejet moderne dhe bombastike në Eurovision. Performanca e saj nuk do të ketë aspak lidhje me atë që kemi parë në Festivalin e Këngës.
Ai zbuloi se Ronela do të ketë një performancë më energjike dhe se për koreografinë po kujdeset Klaudia Pepa.
“Është totalisht diçka tjetër. Do të jetë diçka tepër moderne. Do të jetë një Ronela bombastike, do të kërcejë më shumë se tek festivali. Ronela do të “çmendet”. Klaudia Pepa po merret me koreografinë. Performanca nuk do të ketë asnjë lidhje me performancën që pati në festival. Është një koncept ndryshe. Për veshjen finale ende nuk kemi arritur në përfundim sepse janë katër veshje dhe do të shikojmë se cila është idealja.”, tha Niko. Ai zbuloi dhe një pjesë nga look-u i Ronelës në klip që pritet të publikohet sot.