Muzika ka një efekt qetësues te të gjithë. Pas një dite të vështirë, muzika mund t’ju përmirësojë humorin dhe pas lotëve ju mund ta gjeni veten duke kënduar ose kërcyer. Mirëpo, muzika më e bukur është ajo shqiptare nuk mendoni dhe ju kështu? Më poshtë ju kam listuar dhjetë këngë shqiptare, të cilat duket se nuk do të dalin asnjëherë nga moda.
G-Bani – Te Dua (Feat. Crazy Girl)
Të flisni shqip dhe mos të keni dëgjuar kurrë këtë këngë është pothuajse e pamundur. Një hit që vazhdon të dëgjohet edhe sot në festa e lokalet e natës. Kjo këngë e lëhtë dashurie ka mundësuar shumë njohje dhe ka bashkuar shumë çifte me një frazë të vetme.
Mirëmbrëma. S’po më merrte gjumi.
Anila Mimani – Do digjesh zjarr
Epo keni menduar të ndaheni nga partneri dhe nuk ka qenë kjo kënga e fundit që i keni dedikuar?! “Do digjesh zjarr” e Anila Mimanit u bë hit muzikor dhe është për të gjitha vajzat krenare që duan ta lënë atë, pa shumë fjalë por veç me një këngë.
Unë të lë, nuk më lë ti
më lutesh si fëmi
Andi Shkoza – Në Errësirën E Natës
Kjo me siguri ka qenë kënga që shumë djem u kanë dedikuar vajzës së zemrës. Pse jo mos të jetë ky një sugjerim dhe për brezin e sotëm, në vend të këngëve të reja, t’u drejtohen vajzave me vargjet e mëposhtme.
Në erresirën e natës, këngën tënde po këndoj,
po këndoj për ty e dashur, aha, si s’arrin të më kuptosh.
TNT – Moj Bjondin me sytë e zi
Momenti i preferuar i bjondeve mbërriti. Kjo këngë e grupit TNT është dedikuar për vite me radhë bjondeve, duke i bërë ato të ndihen unike. Ndaj, herën e ardhshme që dëshironi të zbukuroni ditën e shoqes apo të dashurës bjondinë, drejtojuni si më poshtë.
Moj bjondinë me sytë e zi
E me buzë moj si qershi
Poni – Si Trëndafil
Ah sa e vështirë është një ndarje. Kjo këngë është për të gjithë ata që po vuajnë nga dashuria dhe po përjetojnë dhimbjen e një ndarjeje. Shumë vajza, dikur por edhe sot, këndojnë vargjet e mëposhtme me lot në sy.
Dashuria shuhet në heshtje si thahet trëndafili në etje,
Tani kam nevojë për buzëqeshjen që ma fale ti.
Dashnor Diko – Si Bananja
Kjo këngë ka rezultuar një hit muzikor. Ajo vazhdon të dëgjohet edhe sot në klubet e natës dhe shpesh shihen të rinj që kërcejne nën tingujt e kësaj kënge duke kënduar:
Një zë flet vajza është si banania; Të shijon kur e zhvesh, e prek ti vet
Por kujdes, por kujdes nga banania; Mos e hidh e mos e shkel sepse rrëshket
Aleksandër Gjoka – Kuturu
Këngët e tij u kanë rezistuar viteve duke mbetur hite të suksesshme muzikore. Një ndër to, është “Kuturu”. Kjo është muzika e një artisti të vërtetë, teksa djemtë u këndojnë ‘Xhokondave’ të tyre.
Mbeti shkretë tani streha jonë,
në luks je ngrirë… në kyç, trishton,
si në muze… si një Xhokondë.
West Side Family – Në Krahët E Tua Do Jem
West Side Family na ka bërë një dhuratë të mrekullueshme me hitet që ka publikuar. Një nga suksesset e padiskutueshme të grupit është “Në Krahët E Tua Do Jem”. Një këngë dashurie e cila përshkruan emocione të forta, me vargje tepër romantike.
Në krahët e tua të jem; Kur unë forcë mos të kem,
Do të vij e do të mbaj shpirt; Gjer sa dhimbja të shkoj tej…
Eli Fara – Sonata
Një nga hitet e padiskutueshme muzikore që i kanë rezistuar kohës është “Sonata” e Eli Farës. Kjo është një këngë romantike, me vargje shumë emocionuese, të cilat duket se do të këndohen edhe për shumë gjatë.
Rrugës i trishtuar, dikush po ecën; Një i dashuruar dhe fare vetëm.
Dashurinë që humbi, duke kërkuar; Si i erdhi fundi, iku dhe e la.
Mimoza Shkodra – Ndarja
Le ta mbyllim këtë artikull nën melodinë e “Ndarja”. Një këngë prekëse, me tekst emocionues dhe fjalë drejtuar atij…
Nuk mjafton një unazë; As një lule në jorgan,
Kur në mbrëmje, jo unë por ajo; Të ka pranë