Bekim Ibrahimi ka vendosur të vijë me një tjetër projekt të ri muzikor dhe kësaj radhe me një dedikim për figurën e njohur Ibrahim Rugova. Artisti ka vendosur ta publikojë këtë këngë pikërisht në 15-vjetorin e ndarjes nga jeta të Ibrahim Rugovës.
“Oj legjendë kombëtare Ibrahim Rugova” mban titullin projekti më i ri i artistit, të cilin mund ta shijoni në Melody TV.
I kontaktuar nga “Melody TV”, Bekim Ibrahimi ka folur më shumë për këngën e tij.
Melody TV: Brenda një periudhe të shkurtër kohore keni prodhuar tre projekte muzikore, pse keni vendosur të jeni kaq aktiv në muzikë këtë periudhë pandemie?
Bekim Ibrahimi: Në fakt është e vërtetë, kam vendosur të jem tepër aktiv këtë përiudhë pavarësisht faktit që ndodhemi ende në pandemi. Momentalisht jam në fazën e krijimit të disa këngëve.
Melody TV: Na zbuloni për cfarë flet kënga e re dhe pse vendosët të vinit me një dedikim për Ibrahim Rugovën?
Bekim Ibrahimi: Kënga e re mban titullin “Oj legjendë kombëtare Ibrahim Rugova”. Eshtë një këngë që ia kam kushtuar veprës së Rugovës, si arkitetk i pavarësisë së Kosovës dhe njeri i inteligjencës kosovare dhe kombëtare. Për mua Rugova radhitet mbas Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, këta të tre janë shtetformues të kombit shqiptar.
Melody TV: Kush ka punuar për tekstin, muzikën dhe klipin?
Bekim Ibrahimi: Tekstin e kam bërë vet edhe pse nuk jam tekstshkrues, fjalët më kanë dalë nga shpirti dhe më ka ndihmuar në redaktim miku im, poeti Jahe Fida, që e falenderoj. Muzikën dhe orkestrimin e ka bërë Naim Gjoshi, masterizimin Hamit Skilja, videon e ka bërë “Artfabe” nga Gjilani. Dua të falenderoj familjen “Rugova” për promovimin e këngës dhe për incizimin në ambientin e rezidencës së Rugovës si dhe falenderoj të gjithë bashkëpuntorët.
Melody TV: Si është pritur nga publiku shqiptar?
Bekim Ibrahimi: Kënga është pritur shumë mirë nga publiku dhe me shumë emocione, është muzikë e ndjeshme, edhe këndimin e kam bërë me tonalitet të butë, si Rugova që fliste por peshonte fjala shumë.