Dritan Jashari: Nuk i dua asgjë këtij shteti, ne mbahemi me ndihmën e popullit!

Dritan Jashari: Nuk i dua asgjë këtij shteti, ne mbahemi me ndihmën e popullit!

Lajme

Dritan Jashari, këngëtari i njohur i muzikës popullore shqiptare, ka dhënë një intervistë për “Melody TV”, në të cilën ka zbuluar më shumë për karrierën e tij muzikore, projektet e tij por nuk ka munguar edhe reagimi i tij në lidhje me vendimin e qeverisë për mbylljen e muzikës “live” pas orës 20:00.

Melody TV: Sa vite keni që merreni me muzikë?

Dritan Jashari: Fillimet e mia janë që në fëmijëri, duke qënë edhe pjesëtar në grupin e ciftelisë për 4 vjet në shtëpinë e pionierit “Tahsim Shehu” në Peshkopi. Më pas në vitet e gjimnazit e në vazhdim jam angazhuar si kitarist me grupet e ndryshme të qytetit të Peshkopisë, duke vazhduar dhe sot si këngëtar. Me pak fjalë e gjitha jeta ime ka qënë muzika.

Melody TV: Keni patur disa momente që jeni shkëputur nga muzika për shkak të emigracionit, cfarë ju bëri t’i riktheheshit sërish?

Dritan Jashari: Kthimi nga emigracioni ishte për arsye familjare, humba babain në moshë të rë dhe kuptohet që do vazhdoja aty ku e lash dhe jam i kënaqur për cfarë kam arritur deri tani.

Melody TV: Numëroni shumë projekte në karrierën tuaj muzikore, a ka ndonjë këngë që e keni pak më shumë për zemër?

Dritan Jashari: Sigurisht që kam shumë por njëra është me të vërtetë e vacantë dhe më vjen mirë që e duan të gjithë, jo vetëm dibranët. Kjo është “Fluturo shqipja mbi korab”, po ashtu dhe shumë të tjera nga repertori im. I falenderoj nga zemra gjithë ata që ndjekin sadopak muzikën që ofroj unë.

Melody TV: Keni shumë këngë dedikuar Dibrës, vendlindjes suaj, ju mungon ai vend?

Dritan Jashari: Sigurisht që po. Eshtë vendlindja ime ku jam rritur dhe që gjithmonë e kam në mendje. Aty vazhdoj të kem shumë miq dhe shokë si edhe karriera ime ka nisur pikërisht aty. Unë jam nga Maqellara dhe i kam kushtuar edhe një këngë Maqellarës, “Per ty Maqellar”.

Melody TV: Pse vendosët t’i dedikonit një këngë Milazim Markut?

Dritan Jashari: Më pëlqeu shumë historia e tij dhe janë shumë pak këngë që tregojnë për ngjarjet apo provokacionet greke të gushtit 1949-të, ku ranë heroikisht shumë patriot shqiptar, ndërmjet tyre edhe Dëshmori i Atdheut, Milazim Marku. Janë këto lloj këngësh që vërtet pasqyrojnë historinë dhe luftën liridashëse të popullit tonë në shekuj.

Melody TV: Cili është mendimi juaj për vendimin e qeverisë për ndalimin e muzikës “live” pas orës 20:00?

Dritan Jashar: Eshtë hera e parë që artistët e muzikantët shqiptar, në këto kohë të vështira kërkojnë ndihmë nga shteti, por ku është ajo ndihmë? Ne jemi mbajtur me ndihmën e popullit gjithmonë dhe për unë as që e coj ndermend që të më ndihmojë shteti edhe pse jam banor i këtij Atdheu. Ndihmën time t’ja dhurojnë dikujt në nevojë nëse ndodh. Unë si dua asgjë këtij shteti, por do i jap me mundsitë e mia këtu ku jam në fushën e muzikës me këngë atdhetare që duhen më shumë se kurrq. Gjej rastin të përshëndes Bashkinë Dibër për vlerësimin që më kanë bërë, duke më vlerësuar me titullin “Nderi i Kulturës Dibrane”. Faleminderit Dibra!

Tags: