Në muzikën që prodhohet së fundmi, duket se artistët i kushtojnë shumë pak rëndësi tekstit apo mesazhit që një këngë përcjell. Mjafton që të ketë një rimë mes fjalive dhe çdo gjë duket perfekt por ky nuk është rasti i Petrit Çarkaxhiut, vokalistit të Jericho, i cili me fanatizën mbron jo vetëm tekstin, mesazhin por edhe përzierjen e rrymave muzikore.
Në një intervistë për “Top Awards”, ai ka zbuluar arsyen pse ka ardhur vetëm në këtë projekt muzikor, duke treguar sa detajist është ai, për të mos përzier aspak rrymat muzikore, por muzika duhet të jetë identitet sipas tij, sikurse ajo që karakterizon Jericho.
Në projektin e fundit muzikor,”Dul Behari” ai ka trajtuar përmes një ndërthurje të notave të ciftelisë, ritmit geg, pak Jazz, mallin dhe dashurinë për vendin tonë të bukur, që siç ai me të drejtë shprehet, nuk ia dimë vlerën.
Sugjerimet e publikut e kanë bërë këtë këngë pjesë të klasifikimit të “Top Awards”, duke e pozicionuar mjaft mirë në listë, ekzaktësisht në vendin e 19-të, për të cilën mund të zbuloni gjithçka në këtë intervistë.
TA: “Dul Behari”, duket sikur sjell një trishtim? Sa e vërtetë është kjo? Cili është mesazhi që gjendet në tekstin e kësaj kënge?
Petrit Çarkaxhiu: Tingujt e këngës mund të japin ndjenjën e trishtimit përkundër fjalëve plot dashuri për Shqipërinë. Eshtë në pyetje malli i madh që kam për vendin tim në këto momente kur gjendem larg saj. Teksti përcjell vetëm se dashurinë për vendin tonë, të cilit duhet t’ia dimë vlerën e madhe.
TA: Ndërthurje e ciftelisë, ritmit geg, pak Jazz, aspak lidhje me komercialen, sa e vështirë është të jesh origjinal në muzikën e sotme?
Petrit Çarkaxhiu: Faleminderit për komplimentin. Edhe pse tregu muzikor shqiptar është i dominuar prej prurjeve që mund të konsiderohen si artistikisht të vobekta, fatmirësisht kemi muzikantë apo artistë, të cilët vazhdojnë të sjellin këngë e klipe që nuk janë në orbitën e mainstream-it. Besoj që është pasioni për muzikën dhe dëshira e madhe e artistëve të tillë që mbajnë këtë kontinuitet në kushte aspak të favorshme që siguron prurjen e veprave të tilla artistike në atë që mund ta quajmë skenë alternative të muzikes shqiptare.
TA: Pse keni vendosur të prezantoheni vetëm në këtë projekt muzikor, pa shoqërinë e bandës “Jericho”?
Petrit Çarkaxhiu: Jericho ka një identitet të vetin të cilin e ka krijuar gjatë këtyre 23 viteve sa është aktiv në skenën muzikore. Kryesisht njihet për “rock” të përzier me elemente të folklorit shqiptar, ndërsa këngët të cilat i kam sjellë si “solo” nuk kanë të njëjtën karakteristikë, mbi të gjitha nuk është “rock”. Këngët dallojnë njëra prej tjetrës, në kuptimin që elementët etnike të përfshira nuk janë vetëm shqiptare por të një gjeografie më të gjërë, apo edhe elemente muzikore të traditave spirituale të ndryshme, ndërsa tekstet me përjashtim të këngës “Dul behari”, janë tekste që flasin për dashurinë, pasionin, bukurinë, spiritualitetin, dhimbjen e shpresën.
TA: Si shkoi periudha e karantinës për ju, arritët të prodhoni muzikë të re?
Petrit Çarkaxhiu: Gjatë periudhës së karantinës isha mjaft produktiv. Brenda tre muajve, solla tre këngë të reja “solo”, të cilat erdhën të realizuara me klipe. Ishte një periudhë e rëndë mirëpo që e shfrytëzova për të publikuar projektin e ri.
TA: Çfarë mendimi keni për vendimin e qeverisë për mbylljen e muzikës live pas orën 20:00?
Petrit Çarkaxhiu: Meqë jam me qëndrim në Stamboll, nuk kam shumë informata për gjendjen në Shqipëri. Eshtë situate delikate e kuptoj mirëpo duhet të ketë mirëkuptim edhe për ata të cilët jetojnë nga performancat “live”. Nëse janë ndaluar, duhet të bëhet dicka që t’ju kompensohet humbja muzikantëve, të cilët mbajnë familjet e tyre nga ky profesion.
TA: Nje mesazh për të gjithë ata fansa besnikë të Petritit dhe Jericho.
Petrit Çarkaxhiu: Të qëndrojmë solidare me njëri-tjetrin në këtë periudhë të vështirë.
Këtë intervistë po e mbyllim me një shprehje që i përshtatet më së miri artistit: “The man who is swimming against the stream knows the strength of it.”