Si po ndikon karantina tek artistet?

Lajme

Distancimi social si pasojë e Covid-19, ka ndikuar në çdo aspekt të shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare dhe atë botërore.

Sigurisht që kjo periudhë e vështirë që po kalojmë ka prekur dhe artistët. Kudo në botë koncerte apo festivale të emrave më të njohur të muzikës, janë anulluar ose janë shtyrë për një kohë të pacaktuar.

E njëjta situatë qëndron dhe për artistët shqiptar, të cilët punojnë kryesisht nëpë lokale apo pub-e të ndryshme si edhe këngëtarët e muzikës popullore me eventet e ndryshme familjare.

Duket se këtë vit do të jetë e vështirë për ta.

Lokalet dhe pub-et e Tiranës apo qyteteve të tjera qëndrojnë mbyllur për pothuajse 2 muaj tashmë dhe pa informacion të qartë se kur do të hapen. Sidoqoftë edhe kur të kemi një funksionim të tyre, do të duhet pak kohë sa publiku të ambientohet sërish dhe frika nga virusi të jetë fshirë.

Artistët e muzikës moderne nuk po publikojnë më me të njëjtin ritëm materiale të reja, dhe sipas një shkrimi nga “Top Awards”, muaji Prill është muaji me prurje më të ulët të materialeve të reja muzikore.

Gjithashtu për këngëtarët e muzikës popullore, të cilët sezonin e tyre më të ngarkuar dhe njëkohësisht më fitimprurës kanë sezonet e dasmave, duket se këtë vit do të kalojnë krizë. Sipas informacioneve nga portale të ndryshme online të kompanive të dasmave, shumë çifte kanë anulluar ose shtyrë datat e dasmave.

Padyshim që kjo periudhë do të ndikojë ekonomikisht tek çdo person, por si thonë një shprehje: “Zoti të mbyll një derë dhe të hap një dritare”.

Ndoshta kjo kohë që po kalojmë, pavarësisht nga vështirësia, po na përgatit për një fazë tjetër, për një stil të ri jetese i cili jo domosdoshmërisht duhet të jetë i keq.

Të presim dhe të shohim, por gjithmonë me durim dhe shpresë.